AKTIVITET TRAJNUES: “Mashtrimi sipas nenit 143 të Kodit Penal” - 14 janar 2026

Shkolla e Magjistraturës, më datë 14 janar 2026, zhvilloi aktivitetin trajnues me temë: “Mashtrimi sipas nenit 143 të Kodit Penal. Ndryshimi i dispozitës, zbatimi i ligjit penal favorizues. Elementët e mashtrimit. Dallimi midis marrëdhënies juridiko-civile dhe mashtrimit. Kuptimi dhe zbatimi në praktikë i rrethanës cilësuese “më shumë se një herë” dhe “pasoja të rënda”. Praktika gjyqësore.", pranë ambienteve të Shkollës së Magjistraturës, në Tiranë.

Ky aktivitet trajnues u drejtua nga: 

Ekspertë: Dritan Hallunaj dhe Andi Pogaçe

Lehtësues: Gëzim Spahiu

Qëllimi i këtij trajnimi është: Identifikimi i ndryshimeve të elementëve materialë të figurës së veprës penale të mashtrimit të parashikuar nga neni 143 i K. Penal. Qartësimi i praktikës kombëtare dhe asaj ndërkombëtare mbi zbatimin e këtyre elementëve dhe ligjit penal favorizues. Evidentimi i dallimeve kryesore midis faktit kriminal të mashtrimit dhe mos përmbushjes së detyrimeve nga marrëdhënia juridike civile. Konkurrimi i veprës penale të mashtrimit me veprat e tjera penale

Trajnimi u realizua duke ndërthurur prezantimet (deri në 20-30 min) me diskutimin e çështjeve të shtruara (pyetjeve vetë studimore; pyetje-përgjigje) dhe ushtrimeve me raste praktike, për të nxitur dhe realizuar ndërveprimin aktiv të pjesëmarrësve. 

Gjatë këtij aktiviteti trajnues u trajtuan tema të ndryshme, si: 

  • Kuptimi i elementëve materialë të kësaj figure vepre penale dhe dallimi i tyre nga elementët e marrëdhënies juridike civile;
  • Kuptimi dhe zbatimi në praktikë i rrethanës cilësuese “më shumë se një herë” dhe “pasoja të rënda; 
  • Konkurrimi i kësaj figure vepre penale me figurat e tjera si falsifikimi, etj;
  • Historiku i përcaktimit të elementëve materialë të mashtrimit në Kodin Penal;
  • Krahasimi i elementëve të kësaj figure vepre penale referuar ndryshimeve të bëra;
  • Zbatimi i përcaktimeve të elementëve materialë të mashtrimit në Kodin Penal;
  • Praktika kombëtare dhe ndërkombëtare në zbatimin e përcaktimeve të ndryshuara të elementëve materialë të figurës së veprës penale të mashtrimit;
  • Veprimet e duhura hetimore e gjyqësore për evidentimin e faktit kriminal nga ai juridik civil;
  • Evidentimi i rasteve të praktikës gjyqësore që kanë sjellë risi në interpretimin e elementëve materialë të figurës së veprës penale të mashtrimit sipas nenit 143 të K. Penal.

.Në këtë aktivitet trajnues morën pjesë gjyqtarë dhe prokurorë të Republikës së Shqipërisë.